Shqipëria humbi 1 me 0 në ndeshjen e parë për kualifikueset e Euro 2024, përballë Polonisë në Varshavë. Megjithatë për lojtarët e Kombëtares, ndeshja ishte e mirë dhe fitorja e Polonisë ishte falë një ‘gjysmë goli’. Futbollisti Klaus Gjasula, për mikrofonin e Tv Klan tha pas ndeshjes se goli që pësuan nuk kishte lidhje skemën e përdorur nga trajneri Sylvinho.

“Goli që hëngrëm nuk kishte lidhje me skemën, ishte një ence dhe u kthye topi, u gjuajt në shtyllë, u kthye prap, i doli sulmuesi para këmbëve. Prap nuk duhet ta kishim ngrënë atë gol, sigurisht. Por besoj që nuk ishte mënyra e skemës, sepse nuk luajtëm keq, i provuam të gjitha, luftuam shumë. Pjesën e dytë luajtëm me topin më mirë se pjesën e parë, atë e dimë dhe do të arrijmë aty që të luajmë gjithë ndeshjen ashtu me top, për të krijuar pak më shumë raste. Mënyra si luajti ekipi sonte ishte ok. Skema ishte e përshtatshme”.

Gjasula u shpreh optimist për ndeshjet e ardhshme.

“Unë jam shumë optimist për ndeshjet e ardhshme. Unë e shoh njësoj, barazim do të ishte ok sonte për të dy ekipet, do ishte në rregull. Gjithsesi ashtu është futbolli, e dimë, nuk fiton gjithmonë ose nuk merr gjithmonë ai ekip që e ka merituar diçka, ndaj në të ardhmen besoj që do bëhet akoma më mirë dhe duhet të jemi optimistë”.

Gjasula u pyet edhe sesi u ndjenë në fushën e lojës, duke qenë se në të ndodheshin 3 mesfushorë të stilit të ngjashëm.

“Këtë skemë kështu të tre nuk kemi luajtur akoma. Ndaj dhe duhet të mësohesh me njëri-tjetrin, ne kishim tani 1 javë kohë për të punuar, punuam shumë. Trajneri i ka provuar të gjitha. Është ok, ne jemi të tre mesfushorë qendre dhe atë pozicion luajmë”.

Ndeshjen në Varshavë e ndoqi nga afër gazetari i Tv Klan, Erion Todhe, ndërsa sfida u transmetua drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Klan./tvklan.al