Fundjavë Ndryshe ka pasur një mori shumë të madhe njerëzish që janë angazhuar në misionin për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë, që nga njerëz të thjeshtë, e deri tek biznese të mëdhadhe të fuqishme. Një ndër to është edhe Balfin Group që ka tashmë një historik të aktiviteteve të përbashkëta me Fundjavë Ndryshe. Prej vitesh Grupi Balfin ka kontribuuar duke dhënë një vlerë të madhe monetare të shtrirë në gjithë vendin. E ftuar në “Historia e Fundjavës”, Ornela Kastrioti, Drejtore e Komunikimit në Fashion Group Albania, pjesë e Balfin Group tha se vetëm përgjatë vitit të kaluar, janë dhuruar rreth 1.2 milionë euro ndihma për shqiptarët, kryesisht për të prekurit nga tërmeti.

Mirela Milori: Pyetja e parë që bëjnë gjithmonë kur kam të ftuar është përse bashkëpunimi me Fundjavën?

Ornela Kastrioti: Bashkëpunimi me Fundjavën vjen e para sepse është një organizatë që ka treguar se zgjidh hallet e popullit. Edhe i zgjidh hallet e prekshme, jo vetëm për show mediatik, apo për t’u treguar. Rasti ishte konkret, ne e pamë, çdo gjë është e prekshme dhe reale. Ne e kemi vërtetuar edhe vetë, me bashkëpunimet që kemi pasur. Bashkëpunimi me Fundjavë Ndryshe, me Balfin Group, ka nisur prej shumë kohësh, që prej vitit 2016. Ne si kompani, si Fashion Group Albania, kemi pasur bashkëpunimin aktual në fillim të këtij viti me Fundjavë Ndryshe, ku kishim në fokus familjet e prekura nga tërmeti në qytetin e Tiranës. Kemi zgjedhur qytetin e Tiranës bashkërisht me përfaqësuesit e Fundjavës Ndryshe, sepse Fashion Group Albania operon biznesin e saj në qytetin e Tiranës. Ne jemi kompania e parë retail shqiptare, e cila menaxhon disa nga markat e veshjeve të suksesshme në Shqipëri dhe të preferuara në fakt, prej 15 vitesh tashmë në tregun shqiptar, siç janë Mango, Springfield, Prenatal, etj, të gjitha këto marka, të cilat i mundësuan pikërisht këtyre familjeve në nevojë, në një periudhë të vështirë vitit, siç ishte fillimi i vitit Janar, ftohtë, të kishin veshje të cilat i mungonin.

Mirela Milori: Në fakt unë shoh fotot ilustruese, shoh një ndihmesë edhe për fëmijët me sindromën down.

Ornela Kastrioti: Ishte një aktivitet shumë i bukur ky në fakt, i inicuar si një fushatë e brendshme e grupit Balfin, ku përfshiheshin të gjitha kompanitë e tjera të grupit. Vetë grupi Balfin i ka shumë në fokus aktivitetet e përgjegjësisë sociale dhe gjen herë pas here forma të ndryshme, përveçse të suportojë ai në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për shembull përgjatë vitit të kaluar ka dhuruar rreth 1.2 milionë euro ndihma për shqiptarët, kryesisht për të prekurit nga tërmeti. Por ky aktivitet nisi si një fushatë e brendshme dhe ne menduam që do të ishte shumë mirë që personat me aftësi ndryshe të trajtoheshin dhe të shikoheshin në një formë, jo ashtu siç të gjithë i kemi parë deri më sot. Mesazhi jonë i kësaj fushate ishte “ne mundemi njësoj”. Për të treguar që ne mundemi njësoj, kemi treguar edhe me fakte që këta individë janë të barabartë si ne. Ne në Shtator të vitit të shkuar kemi punësuar dy nga personat me sindromën down, Arion dhe Ornelën. Ata janë pjesë e stafit të Fashion Group Albania, punojnë në dy prej dyqaneve tona, në Mango dhe në Springfield. Jemi shumë të kënaqur me ta dhe ata me ne. Kanë gjetur veten dhe kanë marrë një motiv tjetër për të jetuar. Janë zhdërvjelltësuar në marrëdhëniet me njerëzit, në mënyrën sesi ata e ndjejnë veten të vlefshëm./tvklan.al