Shqipëria do të tronditej më 26 Nëntor prej një tërmeti që do të shkaktonte dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur. Zonat më të prekura ishin Thumana dhe Durrësi ku pati shumë banesa të shkatërruara, duke lënë në qiell të hapur shumë familje. Personalitete të ndryshme janë ofruar të japin kontributin e tyre për të prekurit nga katastrofa natyrore.

Ardit Gjebrea ka njoftuar se me të ardhurat e biletave të Festivalit të Këngës Magjike do të ndërtojnë shtëpinë e familjes Caci në Thumanë, që për shkak të lëkundjeve është bërë e pabanueshme.

Drejtuesi i Festivalit u shpreh krenar për artistët që i janë bashkuar kauzës “Këndoj për të ndërtuar”.

“#kendojpertendertuar Me të ardhurat e biletave të Festivalit Kënga Magjike, do të ndërtojmë shtëpinë e familjes Caci në Thumanë që sot është e pabanueshme dhe duhet hedhur në tokë. Ne këtë kemi në dorë, artistët do këndojnë dhe jo më për garë, por për art dhe kontribut! Secili nga ne mundet dhe jam krenar për artistët e Këngës Magjike që janë bashkuar në këtë kauzë. #tegjithebashkemundemi dhe ndërtojmë shtëpi”, shkruan Gjebrea në Instagram.

Festivali i Këngës Magjike do të zhvillohet në datat 4, 5 dhe 7 Dhjetor në Pallatin e Kongreseve. /tvklan.al