Eni Çobani e konsideroi një seancë të jashtëzakonshme këtë të sotmen në rubrikën “Shihemi në Gjyq“, duke u ndalur tek dashuria e madhe që Flutura kishte për bashkëshortin e saj Arbenin.  

Vlerësim për këtë të fundit pati edhe vetë Çobani, për faktin që po kujdeset për nënën e bashkëshortes së tij. Madje juristja e falenderoi atë publikisht: “Unë po të them publikisht faleminderit që ka burra si ju, që bëjnë një gjë kaq të madhe, që mendojnë edhe mbi veten e tyre. Pra ti je futur prej 3 vitesh dhe e do nënën e Fluturës si nënën tënde. Besoj nuk ka vepër më të madhe sesa kjo. Çfarëdolloj pensioni të çonte ky zotëria nga Italia, nuk mund të blihet ndihma dhe mirënjohja që ti i bën asaj gruaje. Se t’i qëndrosh pranë një gruaje të sëmurë nuk paguhet me gjithë paratë e kësaj bote. Bravo!”

Eni Çobani: Flutura ke një burrë të mrekullueshëm dhe të justifikoj çdo moment të vajtjes tënde pranë Arbenit. Bravo edhe ty që e do kaq shumë, sepse janë të rrallë burra si Arbeni.

Flutura: Jo në botë nuk ka, vdeksha unë për ty o Zot. Para Arbenit unë nuk e vë jetën. Jam 50 vjeçe, unë nuk dua burrë tjetër më.

Nga ana e tij Arbeni tha se e do Fluturën dhe do të qëndronte në Elbasan me kushtin e vetëm që bashkëshortja e tij të zgjidhte problemin me të vëllain.

Por zonja Çobani tha se ky është një problem që nuk e zgjidh dot vetëm Flutura, ndaj dhe mori përsipër ta zgjidhë ajo personalisht këtë çështje, siç tha, “me atë burrë që guxoi t’i mbyllte telefonin live”.

“Ai burrë që guxoi të më mbyllë telefonin live, ai tani do të më njohë se kush jam, që nga ky moment. Me shtetin, me shtetin italian, me Ambasadën Italianë e cila do të merret që kush është ky shtetas në shtetin italian që tërheq një pension në emër të nënë, pa prokurë dhe pa asnjë deklaratë nga nëna e tij. Këtë do ta zgjidhë shteti italian me anë të një kërkese që do të bëjmë ne. Duke të marrë unë këtë gjë përsipër dhe duke uruar që shtetit italian, do ta çojë pensionin atje ku duhet dhe ky pension shumë shpejt do t’ju vijë, ti me Fluturën çfarë do të bësh? Do ta vazhdosh këtë bashkëjetesë? Do ta duash Fluturën?”

Arbeni: E kam dashur, e dua dhe do ta dua.

Me këto fjalë, Flutura vrapoi të përqafonte e të puthte Arbenin. Mes duartrokitjeve dhe të qeshurave në studio, të njëjtën gjë bëri edhe Ardit Gjebrea, i cili krahëhapur shkoi drejt juristes Çobani duke e përqafuar. Me humor Gjebrea përsëriti të njëjtat fjalë që Flutura i tha Arbenit përgjatë gjithë seancës: “Se mos më ikësh moj…”/tvklan.al