Gjekmarkaj: Basha nuk kishte rrugë tjetër për Berishën, ndryshe do ishte bërë një Haxhi Qamil


Gjekmarkaj: Basha nuk kishte rrugë tjetër për Berishën, ndryshe do ishte bërë një Haxhi Qamil

23:00 13/09/2021

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, është shprehur sot se Lulzim Basha nuk ka pasur rrugë tjetër për Sali Berishën dhe sipas tij përjashtimi ishte mundësia e vetme.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Gjekmarkaj tha se PD rrezikonte të kthehej në një organizatë të padëshirueshme për SHBA dhe Lulzim Basha mund të kthehej në një Haxhi Qamil.

Agron Gjekmarkaj: Për Partinë Demokratike kjo është ngjarja më emocionale në lidhje me anëtarësinë e saj. Unë e kam thënë dhe e besoj, unë ende vazhdoj të funksionoj si analist dhe si intelektual i pavarur dhe gjykimin e ndërtoj mbi ato që di, ndoshta nuk i di të gjitha, por ato që di më çojnë në përfundimin që Lulzim Basha nuk kishte rrugë tjetër, ishte i detyruar. Lulzim Basha nuk mund të shndërrohej në një Haxhi Qamil, i cili do të thoshte kam Shijakun e Kavajën me vete kundër Amerikës, është e pamundur.

Blendi Fevziu: A mund ta bënte në një rrugë pak më gjithëpërfshirëse? A mund t thërriste Berishën të jepte argumentat e tij përpara grupit?

Agron Gjekmarkaj: Procedura në vetvete që ka zgjedhur Basha nuk më bind, nuk më duket parimore, por nga pikëpamja morale ai ka treguar një fuqi si lider, një përgjegjësi të madhe dhe ai e tha në mbledhjen e grupit parlamentar: “Unë i rri kësaj përgjegjësie deri në fund me të gjitha pasojat që kjo mund të sjellë në karrierën time politike”. Por, siç ai tha, prirem ta besoj, “e kam bërë këtë që mos ta fus PD në një konflikt, në një gjakderdhje politike”.

Blendi Fevziu: Kishte rrugë sipas teje, Gjekmarkaj? Po dorëheqja që tha zonja Guxholli?

Agron Gjekmarkaj: Unë mendoj që nuk kishte rrugë tjetër. Do sillnin një kryetar tjetër dhe rrezikonte të shndërrohej në një organizatë e padëshiruar dhe shpallje e padëshiruar nga SHBA.

Blendi Fevziu: Ka qenë ky kërcënim?

Agron Gjekmarkaj: Sigurisht që ka qenë ky kërcënim. SHBA e kanë vënë Partinë Demokratike, t’iu themi shqiptarëve të vërtetën, nën ultimatum./tvklan.al








Të ngjashme