Këto monedha të shekullit të 13-të janë gjendur në Manastirin e Shën Mërisë në Ballsh. Janë 47 të tilla dhe arkeologët i quajnë një thesar. Një pjesë tyre janë restauruar, ndërsa të tjerat po i nënshtrohen atij procesi. Në dritë kanë dalë imazhe të ndryshme dhe të qarta, ku janë gdhendur figura perandorësh dhe shenjtorësh.  

Arkeologët i quajnë të rëndësishme, jo vetëm për formën dhe veçantinë e tyre, por edhe për vetë historinë e manastirit.

“Është i rëndësishëm për faktin se na ndihmon të përmirësojmë dhe ndërtojmë historinë e manastirit. Mund t’i quajmë pa frikë një thesar. Po del që ka pësuar një ndikim të madh nga një zjarr dhe po na jep një indikacion të shkatërrimit të manastirit. I përkasin perandorit Teodor dhe Emanuel”, thotë arkeologu Elio Hobdari.

Restauratori Frederik Stamati tregon procedurën e restaurimit dhe ruajtjes së tyre në kushtet e duhura.

“Para restaurimit nga këto monedha nuk kuptohej asgjë, as figura, asgjë. U desh të bëhej ndërhyrje restauruese në mënyrë që të bëheshin të lexueshme. U bë pastrimi mekanik, por ishte një pune mjaft e vështirë dhe delikate. Çdo ndërhyrje e sforcuar çonte në dëmtimin e sipërfaqes. Pas këtij pastrimi u bë shumë e dukshme monedha. Ne pamë që në sipërfaqe kishte njolla të zeza dhe rezultoi që ishin bakër, duke kuptuar që ka kaluar një sipërfaqe mbi 800 gradë dhe ka patur zjarr”, shprehet Stamati.

Janë 47 ekzemplarë bizantinë, në bakër, ndërsa këto monedha hedhin më shumë dritë edhe për politikën monetare të periudhës së Mesjetës.

Tv Klan