Ekipet e kërkimit besohet se kanë gjetur mbetje të avionit të vogël që u rrëzua një javë më parë, me të cilin udhëtonte futbollisti Emiliano Sala. Në brigjet veriperëndimore të Francës janë gjetur sedilje të avionit.

Lajmi për gjetjen e mbetjeve është bërë i ditur nga Agjencia Britanike e Hetimit të Aksidenteve Ajrore. Në fund të kësaj jave do të kryhen kërkime nënujore që pritet të zgjasin 3 ditë. Deri më tani, kushtet e këqija të motit kanë penguar ekipet e kërkimit që të kryejnë kontrolle të imtësishme.

Avioni i vogël ku udhëtonte futbollisti 28-vjeçar Emiliano Sala u zhduk nga radarët para një jave. Sala udhëtonte nga Franca drejt Britanisë së Madhe, kur papritur u ndërpre komunikimi në radio dhe humbi nga radarët. Para përplasjes, Sala kishte lënë një mesazh zanor që ua kishte dërguar shokëve të tij ku thoshte se kishte frikë.

/tvklan.al