Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një hotel në zonën e Qerretit në Kavajë, ku 4 persona kanë humbur jetën.

Mësohet se viktimat u asfiksuan për vdekje brenda saunës së hotelit. Rrethanat dhe dinamika e ngjarjes janë të paqarta.

Viktimat janë dy burra dhe dy gra. Ata ishin turistë të huaj, shtetas rusë, të cilët prej 1 jave ndodheshin në Shqipëri. Policia njofton se viktimat janë Nataliia Burenkova 58 vjeçe, Sergei Burenkov 60 vjeç, Nikita Belousov 37 vjeç, Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.

Katër turistët u gjetën të vdekur brenda saunës së hotelit pasi nuk ishin bashkuar me pjesën tjetër të grupit.

Nuk dihet nëse kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur për shkaqe të defektit teknik, për faj të stafit të hotelit apo për shkak të vetë turistëve. Këto dyshime do të sqarohen në vijim nga grupi hetimor që tashmë ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit. Stafi i hotelit është shoqëruar për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjen.

Informacioni paraprak i policisë: Rreth orës 22:20, në Qerret, Kavajë, në ambientet e saunës të një hoteli, dyshohet se janë asfiksuar dhe për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit rus, K. S, 31 vjeçe,  N. L, 58 vjeç, N. A, 37 vjeçe dhe S. A, 40 vjeç. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Çfarë është sauna?

Sauna është një dhomë e vogël me sistem ajri të nxehtë e cila shërben për pastrim dhe rifreskim të trupit. Sauna përdoret nga njerëzit me qëllime relaksi. Gjithashtu ndihmon për dhimbjet muskulore, kardiovaskulare duke çliruar muskujt e trupit. Përdorimi i alkoolit dhe drogërave përpara ose gjatë seancës së sauna mund të jetë e rrezikshme. Nëse keni ndonjë sëmundje nuk duhet të përdorni sauna dhe duhet të konsumoni ujë për të shmangur dehidratimin. / tvklan.al