Një automjet tip BMW është gjetur i djegur rreth orës 10:00 në fshatin Kafaraj të Fierit, në rrugën që lidhet me autostradën Levan-Tepelenë.

Policia thotë se mjeti u gjet poshtë një nënkalimi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ka dyshime që ky automjet të jetë përdorur në atentatin e Vlorës, ku mbetën të plagosur tre persona. Burimet thonë se makina tip BMW e djegur dyshohet se ka qenë ngjyrë e zezë, ndërsa në brendësi të saj është gjetur një kallashnikov.

Hetuesit do të mbledhin prova tek automjeti i djegur, nëse mund të gjejnë fije floku apo gjurmë gishtërinjsh që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të atentatit në rrugën Transballkanike të Vlorës.

 Ndërkohë, të plagosurit janë Ferdinand Llanaj 39 vjeç, djali i tij 8-vjeçar B.Llanaj dhe Dritan Begaj 50 vjeç. Të tre po udhëtonin me makinën “Mercedes-Benz” që u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të panjohur. Fëmija mori plagë në krah dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Edhe të tjerët ndodhen në spital, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë. 

/tvklan.al