Gjenden gjurmë të pyllit më antik të Tokës. Ka ekzistuar 386 milionë vite më parë në një zonë të shtetit të New York-ut dhe shtrihej deri në Pensilvani. Deri më sot pylli Gilboa mendohej se ishte më i lashti në botë, gjurmët fosile e të cilit ndodhen rreth 40 km larg tij. Studimi është realizuar nga bashkëpunimi  i universitetit Binghamton, atij britanik Cardiff dhe muzeut shtetëror të New York dhe është publikuar në revistën Current Biology.

Pylli i Cairos, kështu është quajtur, duke marrë emrin e zonës, dokumenton prezencë të pemëve të panjohura nga njeriu, me sjellje ndryshe nga ato aktuale, pasi sipas shkencëtarëve riprodhoheshin me spore pavarësisht se kishin gjethe dhe dru, karakteristika tipike të bimëve me fara që u zhvilluan rreth 10 milionë vjet më parë.

Vendi ekzakt ku janë gjetur fosilet e pyllit antik është një hapësirë gurore rreth 3000 m2 dhe në analiza janë gjetur të paktën 3 lloje bimësh të lashta, njëra prej të cilave konsiderohet unike dhe nuk është identifikuar ende, pasi nuk ka ngjashmëri me asnjë lloj bime ekzistuese.

Ky studim hedh dritë mbi periudhën Devoniane, atëherë kur në Tokë u shfaqën pyjet e para që ndryshuan rrënjësisht ekosistemet, duke modifikuar përqendrimin e dioksidit të karbonit në atmosferë, gjë që solli ndryshim thelbësor në klimën e planetit tonë.

Klan Plus