Një grumbull i madh monedhash të lashta romake u gjet nga dy persona në Britani, në atë që besohet të jetë zbulimi më i madh i këtij lloji në vend. Bëhet fjalë për më shumë se 3 mijë monedha bakri të futura brenda një qypi qeramike dhe të groposura në një fushë në Lincolnshire.

Ekspertë thonë se këto monedha, të cilat i përkasin shekullit të 4, janë sasia më e madhe e këtij lloji, e zbuluar ndonjëherë më parë në vend.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, bazuar në përllogaritjet paraprake dhe vlerësimet e thesareve të ngjashme të gjetura më parë, besohet se vlera e tyre është rreth 15 mijë paund.

Monedhat, të cilat u gjetën në një gropë ovale të veshur me gurë gëlqeror, janë shpallur tashmë zyrtarisht thesar. Arkeologët besojnë se ato mund të jenë groposur si pjesë e një ceremonie.

Aktualisht ato po ekzaminohen nga Muzeu Britanik dhe do të vlerësohen nga një grup i pavarur ekspertësh.  Zbulimi në fjalë u bë në vitin 2017-të, por vetëm tani, kur u vërtetua autenticiteti i tyre, u shpall thesar dhe u bë publik lajmi për gjetjen e tyre.

/tvklan.al