Një ish-agjent i shërbimeve sekrete ruse është gjetur në gjendje tepër të rëndë shëndetësore sëbashku me të dashurën e tij në Britaninë e Madhe. Sergei Skripal, 66-vjeç dhe një 33-vjeçare që e shoqëronte u gjetën pa ndjenja pranë një qendre tregtare në Salisbyri të Anglisë.

Dyshohet se ata mund të jenë helmuar me substanca të rrezikshme, për zbulimin e të cilave atyre po u kryen të gjitha analizat në një spital në Londër. Dëshmitarët thanë se ata ishin ulur në një stol para një pizerie ne gjendje thuajse të paralizuar, krejtësisht të zbardhur në fytyrë e dukeshin si të vdekur.

Koloneli Skripal, një ish-agjent i shërbimeve ruse të zbulimit u dënua në vitin 2006 me 13 vite burg për tradhti kombëtare, i akuzuar si agjent i dyfishtë. Një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor se i kishte dhënë shërbimit britanik të zbulimit MI6, informacione për agjentët rusë që vepronin në Britaninë e Madhe. Por që prej vitit 2010, ai jeton në Britaninë e Madhe. Fitoi statusin e refugjatit politik pas një shkëmbimi spiunësh mes Londrës dhe Moskës.

Zëdhënësi i presidentit rus Dimitri Peskov e konsideroi tragjike ngjarjen dhe ofroi ndihmën e Moskës në hetimet për zbulimin e rrethanave. Por ky rast është i ngjashëm me vrasjen në vitin 2006 të ish-agjentit rus Aleksandër Litvinenko. Ai humbi jetën në një spital në Londër, pas helmimit me lëndën radioaktive Polonium. Zyrtarët britanikë thanë se bëhej fjalë për një vrasje politike prapa të cilës fshihej Moska.

Tv Klan