Një tjetër shqiptar ka gjetur vdekjen në Greqinë fqinje. Sipas mediave greke, viktima është një 63-vjeçar, i cili jetonte në Korfuz. Ai u gjet i pajetë mëngjesin e së hënës në një kanal anës rrugës, në perëndim të ishullit.

63-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u gjet nga një drejtues mjeti që udhëtonte nga Dragotina drejt fshatit Spartera. Shqiptari rezultonte i zhdukur që prej të dielës dhe jetonte në këtë zonë.

Sipas rezultateve të autopsisë, viktima është qëlluar nga një distancë e vogël me shotgun. Duke qenë se pranë tij autoritetet policore nuk gjetën armë, dyshimet janë se shqiptari është vrarë.

Policia në Lefkimi ka nisur hetimet për vrasjen e 63-vjeçarit, ndërsa kanë marrë në pyetje familjarë e të njohur të viktimës.

Që prej datë 19 Nëntor, 5 shqiptarë kanë humbur jetën në shtetin helen. Altin Mulla u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në Janinë, dy të tjerë humbën jetën në aksidente rrugore, ndërsa të dielën, një 35-vjeçar i cili vuante dënimin në një burg në Trikala u gjet i pajetë në qeli.

/tvklan.al