Dyshohet për infarkt, avokati: Kishte tentuar vetëvrasjen

I dënuari me burgim të përjetshëm, Andon Mëhillaj, ka ndërruar jetë gjatë natës në burgun e Peqinit. Sipas informacioneve paraprake thuhet se 44-vjecari ka pësuar infarkt.

Jashtë kamerave familjarët e Mëhillajt në Vlorë thonë se ai vuante nga zemra që në momentin që hyri në burg. Ata bëjnë përgjegjës strukturat shtetërore se e lanë 44-vjeçarin të izoluar, duke mos i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Avokati i Mëhillajt thotë se zgjatja e kohës së gjykimit pas bërjes së rekusit në Gjykatën e Lartë i shtoi ngarkesën emocionale klientit të tij, i cili kishte tentuar më parë edhe vetëvrasjen.

“Gjendja ka qënë e turbulluar. Ai ka pasur me vete ilaç depressant, ka pasur tentativë vetëvrasje, ishte njëri i dobet. Kjo përforconte edhe akuzat që s’i pranoi asnjëherë dhe i kundërshtonte me forcë. Zgjatja e gjykimit në Gjykatën e Lartë shton ankthin, vetëm ai u la në burgim përjetë”, thotë avokati i Mëhillajt.

Mëhillaj u dënua si sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, duke bërë rolin e negociatorit.

Pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për “Akte terroriste” dhe “Financim të terrorizmit”.

Ky grup u zbulua pas rrëfimit të të penduarit Sinanaj, i cili i ka shpëtuar dënimit me burg përjetë dhe u dënua me 25 vite heqje lirie. 

E ashtuquajtura “Banda e tritolit” u dënua për 38 akuza, përfshi vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, si dhe për vendosjen e tritolit ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.

Tv Klan