Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një 73-vjeçar nga Kumanova, kurse në banesën e tij në Kavadar është gjetur një person i pajetë i moshës 44-vjeçare, tek i cili postmortum është konfirmuar prania e virusit.

Siç kanë njoftuar autoritetet e Komunës së Kavadarit, bëhet fjalë për një punëtor ndërtimi nga Shqipëria që kishte qëndruar në këtë qytet i vetëm në banesë me qira. Siç thuhet, ai nga 31 Marsi nuk kishte shkuar në punë dhe supozohet se ka vdekur para tri ditëve. Nuk ka qenë i regjistruar si i sëmurë dhe as që ka kërkuar ndihmë mjekësore, thonë autoritetet shëndetësore në Kavadar.

Ministria e Shëndetësisë në një njoftim shtesë ka informuar se gjatë ditës ka ndërruar jetë një 27-vjeçare nga Kumanova e infektuar me COVID-19. Sic njoftohet, në Klinikën për Gjinekologji, më 30 Mars ka lindur një foshnje që kishte rezultuar negativ me koronavirus.

Në Klinikën Infektive është transferuar më 31 Mars për shkak të gjendjes së rëndë klinike dhe frymëmarrjes së vështirësuar. Njoftohet se përkundër përpjekjeve të mjekëve, zhvillimi i shpejtë dhe agresiv i sëmundjes kishte qenë fatale.

Nga kjo klinikë janë larguar 5 pacientë të shëruar, të cilët pas dy testeve kanë rezultuar negativ. Janë shtruar katër pacientë të rinj, kurse për momentin janë të shtruar 66 pacientë, prej të cilëve shtatë janë në ventilim mekanik.

Gjatë 24 orëve të kaluara, janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirus. Në Shkup janë diagnostifikuar 7 persona, në Kumanovë  2, në Prilep 4, në Manastir 2, në Kavadar 1, në Krushevë ` dhe në Koçanë 1 rast. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 shkon në 617.

Sipas vendbanimeve në Shkup ka 261 raste, në Kumanovë 130, Dibër 49, Prilep 38, Tetovë 29, Shtip 20, Strugë 28, Veles 10, Manastir 8, Ohër 3, Kavadar 3, Gostivar 4, Gjevgjeli 4, Strumicë 2, Kriva Pallankë 3, Radovish 4, Krushevë 3 dhe Koçanë 18 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 351 testime, kurse numri i përgjithshëm në nivel vendi ka arritur në 6230 teste.

Klan Macedonia