Autoritetet braziliane kanë gjetur të vdekur në qeli trafikantin e drogës Clauvino da Silva, tre ditë pasi dështoi plani i tij për t’u arratisur nga burgu. Sipas zyrtarëve të burgut në Rio de Janeiro, dukej sikur Silva kishte varur veten. 42-vjeçari po vuante një dënim prej 73 vitesh e 10 muaj burgim.

Rasti i Clauvino da Silva bëri bujë në gjithë botën. Tre ditë më parë, ai u kap në burg i maskuar si vajza e tij 19-vjeçare. Ai kishte veshur paruke, maskë silikoni, reçipeta dhe një bluzë me mëngë të shkurtra. Plani i tij ishte të arratisej nga burgu dhe të linte vajzën pas, e cila i kishte shkuar për vizitë. Por, 42-vjeçari u zbulua nga gardianët për shkak të zërit, që nuk i ngjasonte një vajze.

Autoritetet braziliane nisën hetimet për të gjetur personin që kishte futur rrobat në burg. Ndërsa da Silva do të ekstradohej në një burg të sigurisë së lartë. Por, trafikanti është gjetur i pajetë në qelinë e tij. Clauvino da Silva ishte arratisur edhe në vitin 2013 nga burgu së bashku me 31 të burgosur të tjerë duke dalë nga sistemi i kanalizimeve, por u arrestua sërish. /tvklan.al