32-vjeçari ishte zhdukur që prej tre ditësh

Trupi i pajetë i 32-vjeçarit Endri Mustafa u gjet në zonën e Livadheve, në lagjen Guerile në Shkodër, rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. Ekspertët e grupit hetimor dyshojnë se ekzekutimi i tij ka ndodhur gjatë ditëve të mëparshme.

Nga këqyrja e trupit të viktimës, dyshohet se ai ka marrë 5 plumba, ndërsa ka marrë edhe plagë në fytyrë, çka tregon se ndaj tij është ushtruar dhunë para se ta vrisnin. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa pranë trupit të tij u gjet dhe një pistoletë me 7 plumba.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe po bën këqyrjen e zonës për grumbullimin e provave që mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës dhe autorëve të kësaj vrasje. Mustafa ishte larguar nga shtëpia 3 ditë më parë dhe nëna e tij kishte denoncuar zhdukjen e tij në polici. Familjarët e 32-vjeçarit dyshojnë se ai ka dalë nga shtëpia pasi ka marrë një mesazh në telefon dhe prej atij moment humbi kontaktet me ta.

Mustafa është një emër i njohur për blutë e Shkodrës, pasi më parë ka qenë dënuar për plagosje. Ai gjithashtu ka qenë arrestuar së bashku me 5 të tjerë në vitin 2016 pas një denoncimi për grabitje me armë. Gjatë atij operacioni u sekuestrua një arsenal të tërë armësh dhe disa automjete të ndryshme.

Tv Klan