Një person është gjetur i vrarë me armë zjarri, mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër. Burime paraprake bëjnë të ditur se trupi i pajetë është gjetur në breg të liqenit, në lagjen Guerile.

Klan News raporton se viktima dyshohet të jetë Endri Mustafa, 32 vjeç. Momentalisht, rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten të panjohura. 32-vjeçari ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët 3 ditë më parë.

Më datë 17.05.2021, në orën 09:00, në bregun e liqenit, në livadhe, në lagjen Guerile, Shkodër është gjetur i pajetë shtetasi E. M., 32 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve“, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat.

Pranë trupit të viktimës autoritetet mësohet se kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila nuk dihet ende kujt i përket.

Mesazhi që e nxori nga shtëpia. Pasi e vranë, autorët e tërhoqën trupin e 32-vjeçarit dhe…

Endri Mustafa dyshohet se u ekzekutua në zonën e Livadheve në Shkodër, aty ku trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të hëne i vrarë me armë zjarri. Gazetarja Emi Kalaja, në një lidhje direkte me Klan News tregoi se 32-vjeçari është vrarë me 5 plumba. Pas ekzekutimit, ai është tërhequr nga autorët rreth 3 metra më tutje, tentativë kjo me gjasë për të fshehur trupin.

“Endri Mustafa është sjellë këtu dhe është vrarë dhe ka 5 plumba në trup. Pas ekzekutimit trupi është spostuar disa metra larg. Nga rruga ku ndodhen gëzhojat është zhvendosur të paktën 3 metra, duke tentuar ta fshihnin. Në afërsi të trupit është lënë dhe një armë, pistoletë, e cila në brendësi kishte karikatorin me 7 fishekë. Nuk dihet nëse arma është e autorëve apo e viktimës”, tregoi gazetarja.

Ndërsa duke iu referuar dëshmisë së nënës së tij, e cila e kishte denoncuar të birin të zhdukur në polici, Mustafa kishte dalë nga shtëpia pas një mesazhi që kishte marrë në telefon. 32-vjeçari dyshohet se u ekzekutua disa orë më pas.  

“Ai është njoftuar që të dalë nga shtëpia përmes një mesazhi dhe që nga ai moment është zhdukur. Nuk ka dalë me makinën e tij, por është pritur jashtë banesës. Këto janë të dhënat që ka treguar e ëma në polici. Prej 3 ditësh ai rezultoi i zhdukur. Sa i përket kohës kur është vrarë, sipas grupit hetimor, ai mund të jetë vrarë rreth 2 ditë më parë, duke qenë se në trup janë vërejtur shenja dekompozimi. Duke qenë se është gjetur vetëm sot, rreth orës 9, ai dyshohet të jetë vrarë disa orë pasi është zhdukur. Në Shkodër njihej si një person që kishte probleme me drejtësinë. Ai ka qenë i arrestuar më parë për plagosje me armë zjarri, por edhe për një arsenal armësh të gjetur në banesën e tij”, shtoi gazetarja.

Mustafa rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë.

Në 2016-n ai u arrestua së bashku me 5 persona të tjerë për “Vjedhje me armë”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve lufatrake” kryer në bashkëpunim.

Në të njëjtin operacion, mes të arrestuarve ishte edhe Astrit dhe Brahim Bilali. Këta të fundit u ekzekutuan në një atentat të mirëorganizuar në 2019-n, si pasojë e konflikteve të vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në këtë qytet. Njëri nga viktimat, Brahim Bilali, një ish-kampion i hipizmit ishte kryetar i Shoqatës 2 Prilli. Ndërsa Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Pikërisht në këtë resort, në 1 Shtator 2018 u vra në një atentat Arjan Ferracaku, i cili ndodhej në shoqërinë e Astmer Bilalit, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit./tvklan.al