Shoqërohen disa persona, policia në gjurmët e autorit

Autoritetet policore kanë mundur të gjejnë motoçikletën, e cila dyshohet se u përdor në atentatin ndaj Drejtorit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, mesditën e kësaj të diele në Dobraç të Shkodrës. Burimet bëjnë të ditur se ajo është gjetur rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes, gjatë orëve të pasdites.

Autori dyshohet se e ka braktisur mjetin dhe më pas është larguar në këmbë. Policia e Shkodrës po ushtron kontrolle në zonë pasi dyshohet se autori nuk është larguar nga perimetri ku është kryer atentati.

Deri më tani janë shoqëruar të paktën 3 persona, të cilët mendohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë, burime për gazetaren Aida Topalli thonë se autoritetet policore kanë një të dyshuar për ngjarjen, megjithatë policia është e rezervuar për shkak të hetimeve.

39-vjeçari Mentor Hasanaj udhëtonte me makinë së bashku me babai i tij Xhelal Hasanaj 74 vjeç dhe bashkëshorten Vjollca Hasanaj, kur një person që lëvizte me motor hapi zjarr në drejtim të tyre. Plumbat plagosën rëndë kreun e Policisë Bashkiake. I plagosur mbeti edhe babai i tij, ndërsa bashkëshortja nuk pësoi dëmtime.

Paraprakisht dyshohet se shkak i atentatit mund të jetë hakmarrja, por Policia e Shkodrës po vijon hetimet edhe për ndonjë konflikt për shkak të detyrës. /tvklan.al