Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, në zonën e njohur si Astiri. Dy motra, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, janë vrarë nga 59-vjeçari Përparim Ademi.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se Ademi ka qëlluar me automatik dy motrat pas një konflikti që kishte pasur me njërën prej tyre. 59-vjeçari ishte i martuar me një grua tjetër me të cilën kishte dhe fëmijë, por prej vitesh kishte një lidhje jashtë martesore me Kristina Bardhin.

Përparim Ademi

Pikërisht lidhja e tyre duket se është shkaku për këtë krim të rëndë. Ademi mësohet se ka debatuar me Bardhin, pasi kjo e fundit i kishte kërkuar që të ndahej.

59-vjeçari gjatë një konflikti të çastit ka vrarë bashkëjetuesen dhe motrën e saj, ka qëlluar drejt tyre disa herë me automatik duke i lënë të vdekura. Por Ademi dhe Bardhi kishin dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, 13 dhe 15 vjeç, të cilët kanë parë të gjithë krimin.

Nga ana tjetër drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj në një deklaratë për mediat bëri me dije se Ademi kishte lënë armën në banesë dhe ishte larguar në këmbë.

Jaupaj shtoi se forca të shumta policie janë në zonë dhe po punojnë për kapjen e 59-vjeçarit. Pak minuta pas kësaj deklarate, Përparim Ademi është vënë në prangat e policisë dhe ka nisur marrja e tij në pyetje./tvklan.al