Një ditë pas arrestimit të pengmarrësit të anijes “Çelepia 2”, Adel Salam, Ministria e Jashtme Shqiptare njofton se në bordin e saj është gjetur një nga marinarët shqiptarë. Sqarohet se Luan Mema është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa për shtetasin tjetër shqiptar, Dhimitër Malja, nuk ka ende asnjë informacion.

Ministria e Jashtme thotë se Ambasada Shqiptare në Kajro po kujdeset për t’i ofruar asistencë të nevojshme, si dhe po bashkëpunon me autoritetet egjiptiane. Pas përfundimit të disa veprimeve hetimore do të ndihmohet për kthimin e mundshëm të Luan Memës në Shqipëri.

Autoritetet egjiptiane, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë, janë duke punuar për gjetjen e kapitenit të “Çelepia 2″, Dhimitër Malja, si dhe kryerjen e të gjitha procedurave hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Anija u mor peng nga Salam, i cili kërkoi 70 mijë euro nga pronari, në të kundërt do të fundoste anije. Por pavarësisht gjetjes së mjetit lundrues, rrethanat e marrjes peng të saj janë të mbuluara ende nga misteri. Për hetuesit është ende e paqartë zhdukja Dhimitër Maljas dhe motivet që çuan egjiptianin Salam në pengmarrjen e peshkarexhës.

Tv Klan