Gjendet një thesar arkeologjik në zemër të Andeve. Në thellësitë e liqenit Titicaca, i cili ndodhet në 3800 metra lartësi mes Bolivisë dhe Perusë, janë gjetur sende prej floriri, enë dhe pjesë kafshësh të sakrifikuara të një civilizimi të lashtë prekolumbian.

Zbulimi është bërë nga një grup arkeologësh detarë dhe përshkrimi i ekspeditës është publikuar në revistën e akademisë amerikane të shkencave Pnas.

Sendet e gjetura, sipas ekspertëve të Pensylvania State University, janë oferta për ritualet e ndryshme fetare nga fiset Tiwanaku, një civilizim që lulëzoi mes shekujve V-XVII, ndër më të fuqishmet në zonën e Andeve, përpara lindjes së perandorisë Inca.

Janë gjetur statuja të vogla, pjesë të mbetura të skelete kafshësh që shërbenin për kurbane, enë artizanale, bizhuteri e gjerdanë në flori dhe gurë të dekoruar me shumë hijeshi, çka tregon zhvillimin dhe shkëlqimin e kësaj kulture të lashtë.

Thesari i gjetur, që daton vitet 700-900 të erës sonë, është ruajtur në gjendje shumë të mirë edhe për shkak të vendndodhjes së tij në thellësitë e ujërave të këtij liqeni.

Klan Plus