Gjendet një tjetër arsenal armësh, dyshohet se është në pronësi të Sokol Xhurës



Gjendet një tjetër arsenal armësh, dyshohet se është në pronësi të Sokol Xhurës

12:43 10/04/2021

Policia ka zbuluar një tjetër arsenal armësh që dyshohet se është në pronësi të Sokol Xhurës.

Burime për Klan News bëjnë me dije se vendi ku është gjetur arsenali i armëve ndodhet në rrugën Xhanfize Keko, tek ish-ndërmarrja artistike Migjeni, në një ambient të izoluar plotësisht me mur.

Policia gjyqësore, pasi ka shembur murin, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh armësh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj.

Xhura është shpallur në kërkim për 18 baza armatimesh, ndërsa Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 9 të arrestuarit e arsenalit te armëve dhe municioneve të kapura në kryeqytet.

Togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra për të arrestuarit e operacionit Kompleks.

Në burg pa afat do të qëndrojë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi, Arben Sufa, Petrit Shera, Algert Hysa, Festim Mustafa, ndërsa për Klodian Kullën u la në fuqi masa arrest me burg vetëm 45 ditë.

Në kuadër të këtij grupi vijon të jetë në kërkim edhe Akil Kulla, ndërsa të përfshirë për prodhimin dhe tregtimin e armëve janë dhe dy të arrestuarit e tjerë Edmond Jamaku dhe Enver Jamaku.

Dëshmia e këtij të fundit zbërtheu grupin që posedonte 18 baza armatimi dhe municionesh si dhe çoi në zbardhjen e 3 ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura në vitet 2017-2019. Enver Jamaku pritet të marrë statusin e të penduarit të drejtësisë.

Klan News







Të ngjashme