Një trup i karbonizuar u gjet brenda një automjeti të djegur pranë fshatit Borizanë të Fushë-Krujës. Sipas policisë automjeti tip Volkswagen është i regjistruar në emër të Xhafer Osmanit 53 vjeç, me origjinë nga Kosova.

Blutë njoftuan se brenda makinës janë gjetur pjesë trupore të një personi, por nuk konfirmohet nëse viktima është kosovari Xhafer Osmani. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 250 metra larg rrugës kryesore në një zonë rurale. Fillimisht ishin banorët e zonës që panë automjetin duke u djegur dhe lajmëruan policinë.

Mësohet se 53-vjeçari Osmani kishte hyrë i vetëm në territorin tonë më datë 29 Prill, nga pika kufitare e Morinit. Sipas mediave në Kosovë pronari i automjetit është banues në Mitrovicë.

Zbardhjen e plotë rreth identitetit të viktimës pritet ta japë ekzaminimi i mjekësisë ligjore, përmes analizave të ADN-së.

Grupi hetimor i policisë nuk jep ende një pistë rreth shkaqeve të kësaj ngjarjeje, që nga të dhënat e deritanishme, ngjan me një ekzekutim të mirëfilltë. Dyshimet janë se 53-vjeçari është vrarë dhe më pas është djegur për të humbur gjurmët. 

Tv Klan