Prokurori urdhëron kryerjen e autopsisë

Trupi i pajetë që u gjet mbrëmjen e së martës në Sveti Đorđe në Mal të Zi i përket shefit të Antidrogës Rudolf Elezoviç. Autoritetet policore malazeze konfirmuan se 54-vjeçari i zhdukur prej 13 ditësh në kufirin me Shqipërinë ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta. Prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e një autopsie në Podgoricë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Mediat malazeze shkruajnë dyshohet për një vetëvrasje, por autoritetet nuk e përjashtojnë për momentin as pistën e një vrasjeje.

Rudolf Elezoviç humbi kontaktet me familjen e tij më 27 Maj në kufirin ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në afërsi të Pentarit dhe Reçit në lumin Buna. Zhdukja e Elezoviç në polici u raportua nga bashkëshortja e tij. Në hetime u përfshinë edhe policia dhe prokuroria e Shkodrës.

Mediat malazeze shkruajnë se emri i zyrtarit të lartë të policisë kishte dalë si i përfshirë në trafikimin e një sasie të madhe kanabisi nga Shqipëria, prej 2.5 tonësh, pas sekuestrimit të së cilës u vunë në pranga 24 persona. Sipas të njëjtave burime emri i tij doli nga dëshmitë e një bashkëpunëtori të drejtësisë. Pasi u largua nga detyra e shefit të policisë së Ulqinit në 2014-ën, Elezoviç kishte punuar në policinë kufitare në departamentin e luftës ndaj trafiqeve.

Tv Klan