Dy javë pasi kishte rënë në Shpellën e Pëllumbasit në ujërat e lumit Erzen, sot është gjetur trupi i pajetë i 20-vjeçarit Xhorxho Seferi. Policia thotë se trupi i pajetë është gjetur rreth orës 15:00, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku kishte rënë nga lartësia.

Polumbarët e RENEA-s kishin vendosur një rrjetë pritëse, për të bërë të mundur që trupin të mos e merrte rrjedha. Trupi i viktimës është nxjerrë dhe transportuar tek autoambulanca nga polumbarët, punonjësit e Policisë të Farkës dhe nga  zjarrfikësit.

Më 19 Maj, 20-vjeçari Xhorxho Seferi ra nga lartësia në lumin Erzen së bashku me shokun e tij, por ky i fundit mundi të shpëtonte. Pavarësisht kërkimeve intensive për një javë rresht nga polumbarët e Reneas dhe një grup punonjësish të Stacionit të Policisë Farkë në terren shumë të vështirë, nuk u bë e mundur gjetja e trupit të 20-vjeçarit.

As pas 1 jave kërkimet nuk u ndërprenë, por çdo ditë dy polumbarë të Reneas dhe disa punonjës Policie të Farkës kanë krehur shtratin e lumit. Rreth 1 km më poshtë vendit ku dyshohej se ishte mbytur, polumbarët e Reneas vendosën një rrjetë pritëse me qëllim pengimin e trupit për të mos e marrë rrjedha e lumit.  Gjatë ditëve të kërkimit u devijua pothuaj 1/3 e rrjedhës së lumit. /

tvklan.al