Në pranga babë e bir, Albert dhe Selim Manehasa

Nga gëzhojat e tjera si kjo që Televizoni Klan gjeti në vendin ku u vra Emiljano Ramazani, është zbuluar edhe arma me të cilën u krye ekzekutimi mesditën e 20 korrikut në Elbasan.

Në një servis makinash në Peqin, forcat Renea gjeten brenda ne serbatorin e mjetit një pistoletë, model 54 TT.

Arma është krahasuar me gëzhojat që u gjetën në vendin e vrasjes dhe ka rezultuar se Emiljano Ramazani u qëllua 6 herë nga pistoleta e sekuestruar.

Në pranga janë vendosur babë e bir, Albert Manehasa 64 vjeç dhe Selim Manehasa, 37 vjeç.

Burime nga grupi hetimor thanë se babë e bir dyshohet se kanë ndihmuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit, duke siguruar makinën dhe më pas kanë fshehur armën.

Albert Manehasa dhe Selim Manehasa kanë mohuar përfshirjen ne atentat, duke thënë se armën e ka vendosur një person tjetër aty, ndërkohë që janë lëshuar urdhër arrestet me akuzën e vrasjes.

Renea ndaloi 7 persona për vrasjen, por 5 janë liruar më pas për mungesë provash. Ekspertët shpresojnë që tek pistoleta të gjejnë edhe gjurmët e personit që ka kryer ekzekutimin.

Emiljano Ramazani dyshohet se u vra për shkak të konflikteve për drogën. Babai i 4 fëmijëve po shkonte drejt banesës, kur një person u afrua dhe e qëlloi disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Tv Klan