Kapet sërish kokainë në konteinerët e “Alba Exotic Fruit”


Kapet sërish kokainë në konteinerët e “Alba Exotic Fruit”

13:31 07/09/2021

Administratori vazhdon të jetë në arrati

Një tjetër sasi prej 7.7 kilograme kokainë është zbuluar në Portin e Durrësit.

Policia thotë se lënda narkotike u gjet e fshehur në një prej konteinerëve të ngarkuar me banane të ardhura nga Ekuadori të porositura nga kompania ‘Alba Exotic Fruit’. Siç duket edhe nga pamjet droga ishte e ambalazhuar me letër natriban dhe ishte ndarë në 8 pako.

Ajo ishte fshehur në pjesën fundore të kapakëve të motorëve frigoriferikë të konteinerit. Policia thotë se kapja e drogës ishte bërë në kuadër të operacionit Rada që ka nisur që në Korrik të këtij viti kur në konteinerët e së njëjtës kompanie u zbulua 3 herë drogë e fshehur në konteinerët me banane me një total rreth 25 kilogramë kokainë.

Për këtë arsye që prej 13 Korrikut ndodhet në qeli menaxheri i kompanisë Bajron Gumeni ndërsa është shpallur në kërkim administratori Eduard Dauti.

Por kjo është hera e katërt që në konteinerët e kësaj kompanie zbulohet kokainë. Rasti i parë daton në Gusht të vitit 2019 kur DEA amerikane zbuloi 137 kilogramë kokainë në Portin e Pireut në Greqi e cila u zëvendësua me oriz përpara se të nisej në Portin e Durrësit.

Aktualisht në qeli janë Ardian Bega dhe Altin Myslihaka ndërsa në kërkim është biznesmeni Gentian Malindi. Në atë kohë, hetimet nuk gjetën lidhje të porosisë së bërë nga Malindi me kompaninë e bananeve.

Tv Klan






Të ngjashme