Në këtë vend u gjet i groposur Eljon Hysa, i njohur ndryshe edhe si Kevin Hysa. 34-vjeçari nga fshati Gjorm i Kurbinit ishte  zhdukur prej disa ditësh pa lënë gjurmë. Frika e familjarëve se atë mund ta kishin vrarë u vërtetua.

Për të mbërritur në këtë vend autorëve u është dashur të kalojnë në një zonë të dendur me shkurre. Një shteg i ngushtë të nxjerr në sheshin ku u gjet trupi i 34-vjeçarit, shumë afër varrezave të fshatit Shelqet të Krujës.

Një prej atleteve që dyshohet se mbante veshur, qëndron pak metra larg gropës së rrethuar me shiritat ‘skenë krimi’. Kjo shton dyshimet se  para vrasjes ai është përleshur me personat që e shoqëronin. Provat e tjera të sekuestruara një pushkë model 56, një pistoletë Bereta e kalibrit 9 milietra, makina e viktimës dhe sende personale të tij çuan policinë në identifikimin e dy autorëve të dyshuar. Njëri prej tyre, Hysni Rama u shoqërua në polici pasditen e së shtunës.

Në kërkim është bashkëpunëtori i tij me inicialet H.R. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta. Policia kishte 3 vjet që e kërkonte Hysën pasi ai akuzohej si bashkëpunëtor në vrasjen Edmond Theodhorit në Sarandë më 10 korrik të 2015-ës. Bashkë me 6 persona të tjerë, ai qëlloi për vdekje pronarin e lavazhit pas një sherri për motive banale.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Hysa kishte jetuar në shtëpinë e tij ne Kurbin deri të enjten e javës së kaluar kur një telefonatë e nxorri jashtë për të mos u kthyer më. Njera prej pistave është ajo e hakmarrjes, por policia nuk përjashton edhe mundësinë e përfshirjes së tij në trafiqe dhe pazare droge.

Tv Klan