Resorti i skive përdor dëborë artificiale

Hemisfera jugore është mbërthyer nga thatësira edhe pse sezoni dimëror është në ditët e fundit. Kjo ka ndikuar negativisht në një resort skish pranë Santiagos në Kili, ku dëbora e rënë ka qenë aq e pakët sa nuk ka mundur t’i zbardhë lartësitë e maleve.

Kjo është arsyeja pse administratorët e resortit po përdorin dëborë artificiale për të mbajtur gjallë aktivitetin.

Ky dimër është karakterizuar nga një thatësirë ekstreme, me kushte ndër më të rëndat prej 6 dekadave të fundit në gjithë vendin. Ndikim, sipas ekspertëve ka ngrohja globale, që sipas tyre ka bërë që reshjet e dëborës të reduktohen deri në 10% çdo vit përgjatë dekadës së fundit dhe kjo është një shifër shumë domethënëse.

Ndërsa pranë qyteteve ndotja e ajrit dhe niveli i dioksidit të karbonit është shtuar çka e përkeqëson edhe më shumë situatën. Me thatësirë ekstreme po përballet edhe Australia, një tjetër vend i hemisferës jugore, ku niveli i ujit në rezervuare është nën gjysmë nga plot që duhej të ishte në këtë stinë.

Tv Klan