Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Reshjet e shumta të mbrëmjes së 16 Nëntorit do të kujtohen për dëmtimet që sollën. Mjaft shqetësuese kjo gjendje jo vetëm për qytetarët por edhe për dikasteret përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj situate. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve konstaton dëmtimet në shkallë vendi të copëzave rrugore.

Përveç dëmtimeve në zonën e Librazhdit, Urës së Peshkatarit dhe digës së rrezikuar të Zaranikës në asnjë pjesë tjetër të vendit, sipas specialistëve, nuk janë vërejtur dëmtime për mosqarkullime. Kanë dalë në pah difektet e sistemit kullues dhe cilësia e dobët e shtrimit të disa rrugëve.

Sipas të dhënave zyrtare dëmtime nuk kanë ekzistuar vetëm në rrugë por ka patur dhe në të mbjella. Për të parë gjendjen sot në Elbasan ka mbërritur dhe Zëvendës Ministri i Punëve Publike, Pëllumb Vladi. 10 milion lekë të reja janë akorduar si më emergjente nga Qeveria. Për masat që janë marrë shpjegon Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Skënder Hasa.

Skënder Hasa:- “Ne prej kohësh kemi hartuar një plan masash që ja kemi çuar gjithë drejtorive rajonale duke marrë në konsideratë shirat dhe bllokimin nga dëbora. Ndërkohë janë riparuar mjetet e mundshme për këtë punë dhe janë shpërndarë nëpër baza në mënyrë që ne t’i paraprinim. Gjithsesi forcat madhore janë forca madhore të cilat duhet të ndërhyjmë në kohë për të shmangur pasojat e këtyre forcave madhore. Ka patur bllokime të vogla, rrëshkitje të lëndëve të ngurta nga shpatet e maleve por për këtë punë janë drejtoritë tona të cilat mobilizuan njerëzit, kanë lidhur kontrata me kontraktore private për mjetet dhe mekanizmat të cilat nuk i disponojnë ndërmarrjet tona dhe për fat të mirë dhe për mobilizimin e tyre, ne themi që nuk kemi bllokime në asnjë vend”./tvklan.al

Gazetar – Holta Zhiti