Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje maksimale të alarmit në natën e ndërrimit të viteve. Masat e sigurisë janë shtuar në kryeqytetet kryesore dhe në qendrat e populluara.
Në Belgjikë, autoritetet kanë anulluar festën e Vitit të Ri nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Kryebashkiaku i Brukseli njoftoi se festa dhe spektakli me fishekzjarre nuk do të zhvillohen, ndërsa niveli i alarmit nga terrorizmi është në 3 nga 4, që është ai maksimal. Nga ana tjetër, mediat belge raportojnë se edhe sot janë kryer kontrolle në lagjen famëkeqe Molenbek, në kuadrin e hetimeve për masakrën e Parisit.
Në Turqi, policia ka arrestuar ditën e sotme dy persona të dyshuar se po planifikonin sulme kamikaze në Ankara, natën e ndërrimit të viteve. Dy të ndaluarit janë shtetas turq të ardhur së fundi nga Siria.
Ndërkaq në SHBA, mediat raportojnë se Byroja Federale e Hetimit, FBI, ka informuar Presidentin Barack Obama se vendi kërcënohet nga sulme të mundshme terroriste. Nën kërcënim mësohet se janë 3 shtetet kryesore amerikane, New York, Washington dhe Los Angeles.
Sipas CNN, rreziku vjen nga jashtë SHBA -ve. Autoritetet amerikane njoftojnë se natën e ndërrimit të viteve, masat e sigurisë do të jenë të shumëfishuara, me rreth 6000 policë që do të angazhohen në sheshin e famshëm “Times Square” në New York, ku pritet të ketë rreth 1 milionë persona.
Tv Klan