48 të prekur nga koronavirusi, Vuçiç: Jemi në luftë

Serbia ka zgjedhur që të ndjekë rrugën e shumicës së shteteve, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Për këtë ishte hezituar, pasi ekspertët serbë janë kundër dhe kjo u bë në ditën kur ishin vetëm dy raste të reja, duke e çuar numrin në 48.

Por epidemia po shtrihet dhe Presidenti serb, Alleksandar Vuçiç, vendosi t’i japë fund pritjes. Këtë ka thënë se po e bën për të moshuarit dhe më nuk do të ketë as shkolla, kurse ushtria do të marrë një rol në terren, për të kontrolluar gjendjen dhe siç ka thënë Serbia është në luftë me virusin.

“Shumë masa do të ndryshojnë nga dita në ditë. Do të jetë e vështirë, por sa më të disiplinuar do të kemi më shumë shanse. Dorëzimi kurrë nuk ka qenë opsion për Serbinë, ndaj do të luftojmë dhe do të fitojmë”.

Vuçiç më herët kishte takuar edhe patriarkun serb, Irinej, I cili ka premtuar se kisha do të jap kontributin e saj për të kaluar këtë krizë. Personat mbi moshën 65 vjeç nuk do të mund të lëvizin fare. Kurse një masë ndalon tubimin e më shumë se 50 vetave në një vend.

Serbia do të vëzhgojë situatën dhe nëse nuk respektohet masat do të bëhen më rigoroze, duke kërcënuar edhe deri me 3 vite burg për ata që duhet të jenë në karantinë. Mësimi për nxënësit do të transmetohet në televizionin publik.

Në Serbi do të mund të hyjnë vetëm kinezët. Pas ndalesës së eksportit në BE, Vuçiç ka qenë kritik dhe ka kërkuar ndihmë në mjekë dhe në pajisje nga Pekingu.

Tv Klan