Ajo është gazetare dhe moderatore televizive mjaft e njohur. Të shumta kanë qenë programet që ka drejtuar, por ai që e bëri më të njohur ishte “Histori Dashurie”. Së fundmi ajo është larguar nga ekrani për t’ju përkushtuar më tepër familjes së saj. Rastësia e ëmbël ka bërë që në çdo 7 vite, ajo dhe bashkëshorti i saj të bekohen me një vajzë dhe vetëm një muaj më parë, ajo ka sjellë në jetë vajzën e saj të katërt. Sot ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu emocionet si mama e katër vajzave. Siç shprehet moderatorja, fëmijët kanë qenë gjithmonë shumë të dashur për të dhe tashmë është e bekuar me katër vajza.

“Nuk ishte një shtatzëni e planifikuar. Unë i kam dashur shumë gjithmonë fëmijët. Mbaj mend që kur kam qenë e vogël ndjeja kujdes dhe merrja përgjegjësi që nuk më takonin. Gjënë që kam dashur më shumë në jetë Zoti ma dha me shumicë. Vajzat u gëzuan shumë kur iu dhashë lajmin se do të bëheshin me një motër të katërt. Vajza e madhe filloi të qajë. Lajmin ia dhashë në ditëlindjen e vajzës së tretë kur mbushi 6 vjeç. Pas festës iu tregova dha vajza që kishte ditëlindjen më tha: “Dhurata më e bukur këtë ditëlindje ishte lajmi që do vij një bebe”. Vajzat donin që të ishte vajzë dhe bashkëshorti që pas lindjes së vajzës së parë ka dashur vetëm vajza. Kur ishim tek mjeku në shtatzëninë e fundit dhe e pamë që ishte vajzë, bashkëshorti më tha: “E dashur vazhdon Zoti të mendojë për mua”.  

“Nuk e kisha imagjinuar që vajzat nuk do të donin të dilnin nga shtëpia, shyqyr që mbaron shkolla këto ditë sepse as në shkollë nuk donin të shkonin më. Duan të rrinë vetëm me vajzën e vogël. E kemi quajtur Solara, ka kuptimin e të qenit diellor. Është emër latin, por erdhi rastësisht. Vajza e madhe e ka emrin Gea si toka, e dyta Luna, e treta Dian, hyjnore dhe na mungonte Dielli. Kemi të katërta stinët në familje. Nuk kishim një plan për një fëmijë të katërt, por unë jam pro jetës dhe familjes së madhe. E pritëm me gëzim, por ishim edhe pak të stresuar sepse kjo do të sillte ndryshim të madh tek ne. Fakti që fëmijët e pritën mirë mua më lehtësoi shumë që të filloj të mendoj pozitivisht. Shtatzënia shkoi mirë dhe qe një lindje natyrale”.

“Tani jam gjithë kohën me vajzën, fëmijët i kam ushqyer me gji dhe fatmirësisht edhe vajzën e katërt po e ushqej me gji. Shpresoj të shkoj sa më gjatë sepse qumështi i gjirit është shumë i mirë për fëmijët. Meqë jemi në këtë temë le të ndikojmë edhe tek nënat e reja që ta kalojnë vështirësinë e momentit të fillimit, çdo gjë kalon. Çuditërisht të tria vajzat më ndihmojnë shumë në rritjen e Solarës. Jam duke u çmallur me vajzat sepse nuk më ikin nga shtëpia. Vajzat kanë shumë diferencë me njëra-tjetrën, por janë shumë të lidhura dhe kjo e vogla sikur i ka afruar edhe më shumë”, tregoi Çausholli./tvklan.al