Gjenerali amerikan, Michael Barbero, në një intervistë për emisionin “Opinion” thotë se nuk beson që ka një kërcënim të vërtetë për Shqipërinë nga Irani, megjithatë ai shprehet se është koha që Shqipëria të mbrohet nga sulmet kibernetike nga ky vend. Gjenerali amerikan thotë se Irani është një vend agresiv dhe burimi më i madh i sulmeve në Lindjen e Mesme, duke e bërë atë përgjegjëse për çdo mungesë stabiliteti në këtë rajon. Për këtë arsye, Barbero e cilëson Iranin kërcënim për rajonin, SHBA dhe aleatët e saj. Në intervistën për “Opinion”, Gjenerali tregon gjithashtu edhe sesi është njohur me emrin e Qassim Soleimanin.

Cili ka qenë misioni më i rëndësishëm në karrierën tuaj?

Përveçse si bashkëshort dhe si baba, misioni më i vështirë është se kam kaluar 4 vjet në Irak në luftë dhe profesionalisht ai ka qenë misioni më i vështirë. Në terren ka pasur vështirësi të veçanta, sepse kishte disa grupe të cilët kanë qenë kundra nesh, gjë që ishte edhe rrezikshme. Aty ishin edhe trupat shqiptare në koalicion me ne. Kur isha komandant aty, për trupat shqiptare kam vlerësimet më të mira për punën që kanë bërë.

Sa e fuqishme është sot ushtria amerikane, krahasuar me 10 vjet më parë apo më shumë?

Ushtria amerikane është sot tmerrësisht më e fuqishme, kemi qenë në luftë për 18 vjet. Tashmë jemi përshtatur dhe kemi më tepër pajisje. Por sot kemi një tjetër lloj kërcënimi nga terrorizmi për të cilin duhet të jemi të përgatitur, sepse edhe ai ndryshon.

Por cilat janë kërcënimet e Iranit?

Irani është sot burimi më i madh i sulmeve në Lindjen e Mesme. Libia, Siria, Jemeni, Iraku, çdo mungesë stabiliteti është prej Iranit. Ata duhet të kuptojnë se kjo nuk është më e pranueshme. Prandaj Irani është një kërcënim për rajonin, SHBA dhe aleatët tanë.

Sa të shqetësuara janë SHBA për këto kërcënime?

Shumë të shqetësuara. Por Presidenti Trump ka marrë vendime shumë precize dhe të sakta, të cilat duheshin ndërmarrë. Ai e dinte se do të kishte sulme të mëpasshme pas veprimeve të tij. Por në fund të ditës ato ishin veprime të drejta dhe ne duhet të jemi gati për këto lloj sulmesh dhe të përgjigjemi.

Pyetja është sa i fuqishëm është Irani, nëse flasim për trupat ushtarake apo armët që disponon?

Irani është shumë agresiv. Por modeli i tyre nuk është që të dërgojë ushtarët iranianë, por Hezbollahun dhe luftëtarët lokalë, të cilët për hir të së vërtetës janë shumë efektivë. Ata njihen gjithashtu edhe për sulmet kibernetike, pikërisht këto lloj sulmesh, presim më shumë prej tyre. Pra ata janë shumë të zotët dhe për këtë duhet të ketë një përgjigje për sulmet e tyre.

…dhe nisur nga eksperienca juaj sa do të zgjasë ky konflikt?

Kjo tashmë varet nga Irani. Ne asgjësuam Qasim Solejmanin, i cili ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të terrorit. Ai kishte gjak në duart e tij dhe ishte një person djallëzor. Irani u përgjigj me sulme raketore, por tani urojmë që Irani të zgjohet e të kuptojë se duhet të ketë dialog, do të shohim. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u mbrojtur nga sulmet.

Kur dëgjuat ju për herë të parë emrin e tij, pra për Solejmanin?

Për herë të parë dëgjova për të në vitin 2003 dhe ishte viti im i parë në Irak. Ne kishim patur disa sulme, analizova të dhënat dhe më çonin direkt tek ai. Pastaj ishte një rast tjetër në 2007-2008, ndërsa ne ishim duke kërkuar për të. Krimet e tij e lidhnin gjithnjë me Irakun duke organizuar sulme për forcat tona, kështu që emrin e tij e kam dëgjuar prej shumë kohësh. Por ai ishte mjaftueshëm i zgjuar për të mos ardhur personalisht në Irak, e të mos përballej nga afër me ne, ndryshe nuk do kishim folur për të sot. Por i kam dërguar mesazhe shpesh përmes ndërmjetësuesve Irakianë dhe ai përgjigjej.

Çfarë mendoni për deklaratat e bëra nga Ajetollahu Kahmenei në lidhje me Shqipërinë?

Mendoj se ai regjim është nën sulm, ata ndihen shumë paranojakë e të kërcënuar. MEK dhe Shqipëria nuk janë kërcenim për ta. Shqipëria është një nga aleatët më të mirë të SHBA e nuk surprizohem që Irani të thotë këto gjëra. Nuk besoj se ka një kërcënim të vërtetë nga Irani për Shqipërinë. Por tani është koha që Shqipëria të mbrohet nga sulmet kibernetike të Iranit dhe siguria këtu në përgjithësi. Ne të gjithë duhet të jemi vigjilent, kjo është një kujtese për të gjithë Shqiptarët, të jenë vigjilentë nga këto sulme terroriste, që janë kudo në botë çdo ditë.

A mendoni se do ketë një luftë në Lindjen e Mesme, apo përshkallëzime sulmesh?

Lindja e Mesme do të vijojë të jetë një vend i rrezikshëm, por besoj se nuk do të ketë një luftë. SHBA nuk do të pushtojnë Iranin, as Irani nuk do të ndërmarrë sulme të mëdha ndaj SHBA-ve apo aleatëve. Mund të këtë sulme të izoluara, por që duhet t’i mbajmë të vizualizuar. Nuk besoj se do të këtë një luftë, jo në Lindjen e Mesme./tvklan.al