Gjenerali i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Milley, ka paralajmëruar se nëse Rusia do të sulmojë Ukrainën, pasojat do të jenë të rënda dhe fatale.

Sipas tij, pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të shkaktonte një numër të konsiderueshëm viktimash. Vendosjen e 100 mijë trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës, gjenerali Milley e konsideroi si më të madhin që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Nëse do të sulmohet Ukraina do të rezultonte me një numër të konsiderueshëm viktimash. Lufta në zona të populluara urbane do të ishte e tmerrshme”, tha në një konferencë shtypi në Pentagon gjenerali Milley, i cili është oficeri më i lartë ushtarak i Presidentit amerikan Biden.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se konflikti mund të shmanget ende me rrugë diplomatike.

“Konflikti nuk është i pashmangshëm. Ka ende kohë për diplomaci. Nuk ka asnjë arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt. Presidenti Putin mund të urdhërojë largimin e trupave të tij”, deklaroi Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Rusia i ka mohuar planet për një pushtim, por deklaron se mbetet kërcënim mbështetja që SHBA po i jep Ukrainës.  /tvklan.al