Pas 5 shekujsh, Michelangelo, një ndër gjenitë më madhështorë që njerëzimi ka prodhuar në historinë e tij, vijon të surprizojë me artin e tij. Simbolikat e përdorura nga autori në afresket e Capella Sistina në Romë, ne njerëzit bashkëkohorë i zbulojmë dhe arrijmë t’i japim një kuptim vetëm sot. Së fundmi, një kuratore arti që studion personazhet në Gjykimin Universal në Vatikan, supozon që Michelangelo në një figurë femërore, ka vendosur disa shenja që tregojnë një formë tumorale gjiri.
Ajo është e veshur me vetëm një mantel dhe shall blu, çka tregon statusin e saj, që është e martuar. Ndërsa anomalia shëndetësore që autori ka paraqitur, mendohet se ka dashur të pikturoje edhe sëmundjen, duke iu referuar konceptit kyç të paevitueshmërisë së vdekjes.
Një simbolikë tjetër e fortë vërehet tek skulptura e famshme e Muzeut të Vatikanit, La Pieta, (Mëshira), ku Krishti ka një dhëmb më tepër. Edhe në këtë rast, zgjedhja e tij nuk është rastësore, por sipas simbolikës religjioze të kohës. Ka domethënien e Dhëmbit të Mëkatit. Në këtë rast autori ka dashur të transmetojë pikërisht idenë që Krishti mori përsipër gjithë mëkatet e botës.
Kjo skulpturë, ndër më të bukurat të krijuara, qëndron në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, aty ku mund të admirohet arti i jashtëzakonshëm i maestros se Rilindjes, i cili Shën Mërinë e paraqet në moshë shumë të re e të bukur, ndërsa Krishti shumë i shkëlqyeshëm, pavarësisht kalvarit që kishte kaluar.
Preferonte një jetë pa lukse, pavarësisht se gjithë jetën mblodhi pasuri, bleu terrene dhe shtëpi të shumta, por me një qëllim të vetëm, t’i rikthente familjes së tij statusin e shkëlqyer të humbur ndër gjenerata.
Ndaj artit ishte i jashtëzakonshëm, nuk qëndronte kurrë në skemën e parë, por i pëlqente të eksperimentonte ndryshime teksa kompletonte veprat e tij, kur duhet të zgjidhte një mermer, endej vetë nëpër Alpe me vite të tëra të tëra për ta zgjedhur vetë ai masivin e mermerit të duhur, me një manierizëm dhe perfeksionizëm të theksuar. Kalonte net e muaj duke vëzhguar dhe studiuar trupat njerëzore në spitalet e Firences, për të marrë esencën e çdo muskuli, çdo lëvizjeje, çdo forme të lëkurës.
Kishte një energji vitale që e transmetonte në veprat e tij, dhe kur ishte i frymëzuar, mund të punonte ditë të tëra me radhë edhe pa u ushqyer.
Nuk kishte shembuj artistikë në familje, por një gjenialitet të lindur, me figurat që lindën nga duart e tij, të mbushura me plasticitet e dritë.
Davidi, padyshim ndoshta skulptura më e famshme në mbarë botën, i cili do të personifikonte edhe simbolin e Lirisë Republikane, duke i dhuruar Firences, Italisë e Tokës një ikonë të bukurisë mashkullore ende sot të pakalueshme, duke shënuar edhe nisjen e fazës më të lavdishme të jetës së tij artistike.
Pas Davidit, ishte Capella Sistina, me afresket që zënë një sipërfaqe prej 188 m2, 400 figura, 5 vjet punë dhe padyshim një nga mrekullitë më të mëdha të artit, e para punë për Michelangelon në këtë gjini, ku padyshim mbetet një ndër veprat me të shkëlqyeshme që i la trashëgimi njerëzimit.
Klan News