Në Gjermani, një ligj i ri do të dalë në fuqi në tetor i cili do të gjobisë rrjetet sociale që publikojnë përmbajtje të jashtëligjshme duke përfshirë edhe fjalime që nxisin urrejtje.

Ky ligj i ri ka hapur shumë debate nëse cënon lirinë e shprehjes dhe ka mbledhur shumë kritikë bashkë.

Ligji është i quajtur NetzDG dhe detyron që të gjitha ato rrjete sociale që kanë më shumë se 2 milionë përdorues në Gjermani, të fshijnë përmbajtjet e paligjshme ose ato që nxisin urrejtje brenda 24 orëve që në momentin që janë raportuar si të tilla.

Për postime të tjera të cilat konsiderohen më pak të dhunshme, “Facebook” dhe “Instagram” kanë 7 ditë kohë të konsiderojnë nëse do ta fshijnë atë ose jo, përndryshe nëse kalohen këto afate mund të ketë gjoba deri në 50 milionë euro.

Kritikët mendojnë se koha e shkurtër që kanë për të reaguar rrjetet sociale, duke e kombinuar edhe me gjobat e larta që mund të pësojnë, mund të çojë në një situatë kaotike dhe një numër i madh përmbajtjesh mund të fshihet, duke përfshirë edhe postime të cilat janë të ligjshme. /

tvklan.al