Policia gjermane ka arrestuar dy persona, që dyshohet të kenë lidhje me sulmet terroriste të Bruklesit, që morën jetën e 31 personave dhe plagosën dhjetra të tjerë.

Sipas prestigjozes gjermane “Der Spiegel”, njëri prej tyre është arrestuar afër Frankfurtit dhe i dyshuari ka marrë dy mesazhe të shkurtra në telefon pak para shpërthimeve në Bruksel, ku përmendet emri i Khalid El Bakraoui, kamikazi i cili hodhi veten në erë në metronë e Brukselit.

Ministria e Brendshme gjermane nuk pranoi të bënte komente për raportin e publikuar nga “Der Spiegel”.

Në shkrimin e publikuar nga revista gjermane, shkruhet gjithashtu se mesazhet përmbanin edhe fjalën “fin”, në frëngjisht, që do të thotë “fund” dhe kanë ardhur në telefonin e njërit prej të dyshuarve, 3 minuta para se të ndodhte shpërthimi në metronë Maelbeek.

Shefi i Policisë Fedelare të Gjermanisë u shpreh se terroristët e ISIS janë të etur për sulme të tilla spektakolare, sidomos me rritjen e presionit ushtarak në Irak dhe Siri./tvklan.al