Një 36-vjeçar shqiptar në Gjermani që u qëllua me armë më 28 Prill në qytetin Wuppertal, ka ndërruar jetë në spital. Policia dhe prokuroria gjermane njoftuan sot se shqiptari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve që kishte marrë nga të shtënat me armë 9 ditë më parë. Identiteti i shqiptarit të vrarë nuk është bërë publik.

Ishte e dielë mbrëma kur 36-vjeçari u sulmua me armë brenda makinës së tij në një rrugë në zonën e Gathe. Persona të armatosur dhe të paidentifikuar hapën zjarr ndaj shqiptarit dhe u arratisën. Ai mbeti i plagosur dhe mundi të dilte vetë nga makina e tij tip BMW, e më pas u gjet i shtrirë në rrugë nga kalimtarë të rastit.

Këta të fundit njoftuan më pas policinë, e cila shkoi në vendngjarje dhe nisi mbledhjen e provave. Pranë trupit të 36-vjeçarit ditën e ngjarjes u gjet edhe një armë, por nuk është bërë me dije se kujt i përket. Lidhur me hetimet e deritanishme, nuk ka asnjë të arrestuar dhe shkaqet mbetën mister.

/tvklan.al