Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck ndodhen për një vizitë të pazakontë të gjatë në Kanada për të diskutuar çështje të bashkëpunimit në fushën e energjisë.

Bashkë me përfaqësues të lartë të ekonomisë gjermane, kancelari Olaf Scholz dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck kërkojnë në Kanada mundësi për thellimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe klimës. Së afërmi bëhet fjalë për tërheqjen e gazit të lëngshëm nga Kanadaja në Gjermani dhe në plan afatmesëm për hidrogjenin ekologjik në Gjermani. Në bisedimet me kryeministrin, Justin Trudeau bëhet fjalë edhe për mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës, bashkëpunimin në NATO dhe marrëdhënien me Rusinë.

Me tre stacione vizitash ky udhëtim i kancelarit gjerman konsiderohet i gjatë në mënyrë të pazakontë. Të hënën Scholz dhe Habeck zhvillojnë bisedime në Montreal me kryeministrin kanadez, Trudeau, i cili në Montreal ka zonën e tij zgjedhore. Më tej vizita vazhdon në metropolin ekonomik të Torontos, ku Scholz, Habeck dhe Trudeau marrin pjesë në një konferencë ekonomike kanadezo-gjermane. Në delegacionin e nivelit të lartë ekonomik gjerman merr pjesë edhe kreu i Volkswagenit, Herbert Diess. Të martën është planifikuar një vizitë në Stephenville, ku do të diskutohet për zhvillimin e teknologjive të hidrogjenit dhe ndërtimin e zinxhirëve të furnizimit. Aty do të nënshkruhet edhe një marrëveshje.

Kanadaja me një sipërfaqe prej gati 1 milionë kilometër kuadrat është pas Rusisë vendi i dytë më i madh në botë, dhe me 37 milionë banorë është vend me dendësi të vogël popullsie. Ky vend është partner i Gjermanisë tek grupimi G7 dhe në NATO.

Ukraina mbështet gazin e lëngshëm

Para vizitës së kancelarit gjerman edhe Ukraina ka shprehur mbështetjen për gazin e lëngshëm kanadez, LNG dhe mbështet shprehimisht ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm në brigjet lindore të këtij vendi. “LNG nga Kanadaja është një alternativë shumë më e mirë se gazi nga Rusia”, tha kreu i koncernit energjitik ukrainas, Naftogaz, Jurij Vitrenko për Reuters. “Kanadaja është vend demokratik, që nuk sulmon fqinjët e saj. Ofruesit kanadezë nuk kanë pozicion kryesues në tregun gjerman dhe nuk e keqpërdorin atë si Gazprom, që e ka shkurtuar artificialisht ofertën”, sipas Vitrenkos.

Zyrtarisht Gjermania nuk shpreh shpresa të mëdha për dërgim të shpejtë të gazit të lëngshëm nga Kanadaja, duke theksuar se është e qartë që në dy vitet e ardhshme nuk mund të ofrohet gaz, sepse nuk ka terminale të eksportit të LNG në brigjet lindore. Në të ardhmen Gjermania do të lidhet me Kanadanë me marrëveshje për dërgimin e hidrogjenit. Gjermania synon ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm, duke pritur që më vonë prej këtij terminali të transportohet edhe hidrogjeni për në Europë.

Qeveria gjermane ndodhet nën presion për të gjetur alternativa të tjera përveç gazit rus. Kanadaja tregohet e rezervuar, kjo lidhet edhe me presionin e brendshëm që ka kryeministri Trudeau. Pasi Kanadaja lejoi dërgimin e turbinës të Siemens Energy për gazsjellësin Nord Stream 1 tek Gjermania pati kritika të ashpra brenda vendit, sidomos nga komuniteti i madh ukrainas në Kanada. Kurse në provincën Quebec kundërshtohet fort ndërtimi i një terminali të gazit të lëngshëm pikërisht nga grupet ambientaliste. Përgjegjëse për projektet janë vetë provincat kanadeze, prandaj kancelari gjerman do të zhvillojë takime me kryeministrin e Quebecut./DW