Merkel bisedon në telefon me Putinin, pritet ngritja e grupeve të punës

Gjermania dhe Rusia mund të bashkëpunojnë për krijimin e një vaksine efektive kundër koronavirusit. Për këtë mundësi diskutuan në një bisedë telefonike këtë të martë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin.

Liderët e dy vendeve ranë dakord që për këtë çështje të nisin sa më shpejt kontaktet mes ministrive të Shëndetit të dy vendeve. Vaksinimi antiCovid ka nisur në të dy vendet.

Në Gjermani po injektohet vaksina e krijuar nga bashkëpunimi i firmës vendase BioNtech me amerikanen Pfizer që ka marrë lejen për përdorim urgjent në shumë vende të botës. Ndërsa në Rusi po përdoret vaksina “Sputnik V” e zhvilluar nga institutet kërkimore shtetërore.

Por pavarësisht nisjes së vaksinimit urgjent, pikëpyetje ngrihen mbi kohëzgjatjen e imunitetit që krijojë vaksinat e zhvilluara deri më tani, sa efektive janë në parandalimin e infeksionit dhe efektet anësore.

Ajo që dihet deri më tani është se vaksinat Pfizer shkaktojnë efekte anësore të zakonshme si temperaturë të lehtë, dhimbje apo enjtje në vendin e injeksionit dhe në rastet më të rënda, por shumë të pakta, alergji.

Autoritetet ruse kanë thënë se vaksina “Sputnik V” ka po ashtu efekte anësore shumë të pakta dhe është 95% efektive. Por OBSH hedh dyshime për vërtetësinë e këtyre të dhënave, pasi ekspertët e saj ende nuk e kanë testuar efektshmërinë e vaksinës.

Tv Klan