Do lejojë edhe vendet e tjera të dërgojnë tanket e tyre

Gjermania i ka dhënë fund hezitimit dhe ka vendosur të dërgojë tanket “Leopard 2” në Ukrainë për të ndihmuar në çlirimin e territoreve të pushtuara nga Rusia.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters e cila thekson gjithashtu se Berlini do të lejojë vende të tjera si Polonia apo Finlanda t’ja dhurojnë tanket e tyre “Leopard” Ukrainës.

Më herët të martën, Polonia tha se i kishte dërguar zyrtarisht një kërkesë qeverisë gjermane për ta lejuar atë të dërgonte disa nga “Leopardët” e saj në Ukrainë, duke e shtyrë Berlinin më pranë një vendimi të shumëpritur për lejimin e rieksportit të tankut të rëndë të NATO-s.

Vendimi ka të bëjë me dërgimin nga Gjermania e të paktën të një kompanie prej 14 tankesh “Leopard 2”.

Scholz ka qenë i kujdesshëm ndaj lëvizjeve që mund të nxisin Rusinë të përshkallëzojë luftën.

Zyrtarët amerikanë i thanë Reuters se edhe Uashingtoni së shpejti mund të heqë dorë nga kundërshtimi i tij për dërgimin e tankeve “Abrams” në Ukrainë.

Gjithsesi Pentagoni refuzoi të komentojë zyrtarisht lidhur me këtë çështje.

Dërgimi i tankeve perëndimorë në frontin e luftës ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Kievit, i cili i sheh si armën e duhur për të thyer linjat mbrojtëse ruse dhe për të rimarrë territoret e pushtuara në lindje dhe jug.

Tv Klan