Dorëheqja e Andrea Nahles si kryetare e socialdemokratëve ka shtuar paqartësitë mbi vazhdimësinë e koalicionit qeverisës në Gjermani. Analistët nuk përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi socialdemokratët mund të largohen nga koalicioni qeverisës për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet europarlamentare.

Në zgjedhjet e 26 Majit, kjo forcë politike u rendit e treta duke humbur pozitën e mëparshme si partia e dytë në Gjermani. Vendin e tyre e morën të gjelbrit, të cilët ishin surpriza e këtyre zgjedhjeve. Rënie pësuan edhe kristiandemokratët, që gjithsesi vazhdojnë të jenë parti e parë.

Kritikët brenda socialdemokratëve bënë përgjegjëse ish-kryetaren Nahles për humbjen, pasi nuk pranoi të largohej nga koalicioni qeverisës. Analistët thonë bashkëqeverisja me Merkelin përgjatë në 3 nga 4 mandatet e saj si kancelare i bën socialdemokratët po aq përgjegjës për dështimet e qeverisë.

Ndaj sipas tyre, mundësia e vetme për të shpëtuar socialdemokratët është një vizion i ri që shpërbën imazhin e krijuar gjithë këto vite si grupim pa alternativë dhe si degë mbështetëse e kristiandemokratëve, çka nënkupton daljen nga koalicioni qeverisës.

Tv Klan