Trajneri Nagelsmann: Sukses i madh për ekipin
Përfundon 2-0 për Gjermaninë miqësorja e luksit në Lion kundër Francës. “Gjelat” larg formës së tyre të zakonshme, ndërsa pësuan një tjetër humbje kundër “pancerave”. Ndeshja nisi në mënyrë spektakolare me golin më të shpejtë në historinë e Gjermanisë, të realizuar nga Virtz.
Vetëm 7 sekonda i mjaftuan talentit të Leverkusen për të zhbllokuar sfidën. Francezët u përpoqën që të barazonin, por Mbappe i vetëm nuk mjaftoi për të thyer mbrojtjen gjermane.
Ekipi i Julian Nagelsmann dyfishoi shifrat me fillimin e pjesës së dytë kur në minutën e 49-të Haverc finalizoi me sukses një aksion të Musialës. Tekniku ishte mjaft i kënaqur me suksesin e arritur të përfaqësueses së tij.
“Është një sukses i madh për ekipin. Goditja në nisje ishte e gjitha pjesë e planit dhe u realizua në mënyrë të shkëlqyer. 25 minutat e para ishin shumë të mira. Pas kësaj, ne duhej të punonim më shumë në mbrojtje, por kjo është normale kundër një ekipi të tillë. U ngjitëm një nivel në pjesën e dytë dhe krijuam raste shumë të mira. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si luajti skuadra. Ishte një lojë vërtet e mrekullueshme!”
Humbje e hidhur për Francën, që në fund u përball me fishkëllimat nga tifozët në Lion.
Klan News