Ashtu si edhe disa shtete të tjera europiane, edhe Gjermania po shkon drejt forcimit të masave anti-Covid, si një përpjekje për të ndaluar valën e përhapjes së re të virusit. Kancelarja gjermane në detyrë Angela Merkel dhe kancelari i emëruar Olaf Shcolz zhvilluan këtë të enjte një takim me 16 krerët e landeve ku ranë dakord në marrjen e masave përforcuese të cilat prekin kryesisht personat e pavaksinuar. Sipas këtyre masave, hyrja në dyqane, restorante, muzeume dhe kinema do t’iu lejohet vetëm personave të vaksinuar ose të shëruar. 

Në zonat ku shkalla e incidencës arrin në 350 do të ketë mbyllje të klubeve të natës dhe vendeve ku ka muzikë. Numri maksimal i tifozëve në stadiume do të jetë 15 mijë.

Do të ketë testime shtesë edhe për të vaksinuarit, ndërsa tubimet familjare do të lejohen vetëm brenda anëtarëve të së njëjtës familje për të pavaksinuarit. Vendi i vetëm ku të pavaksinuarit do të lejohet të hyjnë janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, por edhe aty duke mbajtur maskën.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi brenda pak ditësh pas miratimit nga ligjvënësit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se favorizon vaksinimin e detyruar dhe pritet që Bundestagu të votojë në fillim të vitit 2022 për diçka të tillë.

Tv Klan