Gjermania do ta mbështesë çeljen e negociatave me Shqipërinë në Këshillin Europian, por me një sërë kushtesh dhe të formuluara qartë.

Sipas Deutsche Welle-s, grupet parlamentare të koalicionit të madh gjerman CDU/CSU dhe SPD, kanë përgatitur një projekt-rezolutë ku renditen kushtet e vëna nga Berlini për vendin tonë.

Aty nënvizohet se zbatimi i reformës së gjerë në drejtësi ka nisur, vetting-u po jep rezultate konkrete dhe po të zbatohet me sukses kjo procedurë, Shqipëria do të jepte një kontribut të pashembullt paraprak.

Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që ta miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian vetëm nëse

“konferenca e parë e anëtarësimit”

zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë

“konstatuar plotësimin e këtyre 2 kushteve nga Shqipëria”.

– Plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritare në kuadër të vetting-ut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative

– Kur qeveria shqiptare të ketë paraqitur një ligj për një reformë të ligjit zgjedhor

Në rezolutën e partive qeverisëse gjermane citohet se konferenca e dytë e anëtarësimit të zhvillohet vetëm atëherë kur të jenë plotësuar një sërë detyrash.

– Zbatimi i ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor

– Të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në vetting se kanë bërë shkelje penale

– Të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)

– Të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

– Të ketë përparime solide në luftimin e kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët. Këtu bëjnë pjesë “hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”

– Rezultate të prekshme në reformën e administratës…duke përfshirë edhe “verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve”

– Të vazhdojë me intensitet luftimin e tregtisë dhe të kultivimit të drogës në Shqipëri.

“Nëse Shqipëria pas hapjes së negociatave i zvarrit, i ndërpret apo i kthen mbrapsht këto kushte, negociatat e anëtarësimit duhet të ndalen”

, thuhet në projekt-rezolutë.

Në draft, Gjermania i vlerëson përpjekjet për reforma të Shqipërisë. Theksi vihet te zbatimi i reformës së gjerë në drejtësi dhe rezultatet që po jep vetting-u. Por nga ana tjetër, parlamenti gjerman vëren se ritmet kanë qenë të ngadalta, duke përmendur faktin se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, duhet ta kishin kaluar procesin e vetting-ut më shumë se gjysma e rasteve, të përcaktuara si prioritare.

Bundestagu gjerman kërkon gjithashtu që Shqipëria të mos ketë një datë të paracaktuar për anëtarësim automatik, pa përfunduar negociatat.

Tv Klan