Gjermania i ka kërkuar Bashkimit Evropian të diskutojë ndalimin e importit të gazit rus pasi zyrtarët ukrainas dhe evropianë akuzuan Moskën për kryerjen e mizorive pranë Kievit.

“Duhet të ketë një përgjigje. Krime të tilla nuk duhet të mbeten pa përgjigje”, tha ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht në një intervistë me transmetuesin publik ARD.

Berlini deri më tani i ka rezistuar thirrjeve për të vendosur një embargo ndaj importeve të energjisë nga Rusia, duke thënë se ekonomia e saj  dhe ajo e vendeve të tjera evropiane janë shumë të varura nga Moska .

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck përsëriti qëndrimin e qeverisë duke thënë se Gjermania po reduktonte varësinë e saj nga energjia ruse, por nuk mund të largohej menjëherë.

Më herët kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se aleatët perëndimorë do të bien dakord për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë në ditët në vijim. Scholz  u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare t’u lejohet aksesi në zonat e prekura për të dokumentuar mizoritë që po ndodhin në Ukrainë.

Klan News