Gjermania jo më “mrekulli” përballë Covid-19



Gjermania jo më “mrekulli” përballë Covid-19

12:25 22/10/2020

Rekorde infektimesh në Itali dhe Gjermani

Në valën e dytë të Europës, Covid-19 nuk po i shpëton dot më Gjermania siç ndodhi me të parën. 24 orëshi i fundit shënoi gati 11 300 të infektuar të tjerë, shifra më e lartë që prej fillimit të pandemisë në Mars. Pozitiv ka rezultuar edhe Ministri i Shëndetësisë, Jens Shpahn i konsideruar si arkitekti i planit të masave që e kanë mbajtur deri më tani vendin në shifra të ulëta infektimesh krahasuar me vendet e tjera europiane.

Rekord theu këtë 24 orësh edhe Italia me afro 15 mijë e 200 raste të reja infektimesh. Numri i viktimave ishte 127, më i larti i valës së dytë, por 7 herë më i ulët se në rekordet e valës së parë. Rekordi i infektimeve të zbuluara në një ditë lidhet edhe me shifrën më të lartë deri tani të analizave të kryera me tamponë që këtë 24 orësh arriti në mbi 177 mijë.

Megjithatë vetëm 8% e personave që iu nënshtruan tamponëve rezultuan pozitivë. Përqindja është shumë herë më e ulët se në valën e parë kur arrinte deri në 30%.

Nga kjo e enjte, Lombardia nis zbatimin e gjendjes së shtetrrethimit 3 javor, kur banorët e Milanos dhe gjithë rajonit nuk lejohet të dalin nga shtëpitë nga ora 11 e natës deri në 5 të mëngjesit. Parashikohet 3 mijë euro gjobë për shkelësit.

Shifrën më të lartë të 24 orëve të fundit e shënoi Franca me afro 26 700 të infektuar.

Tv Klan




Të ngjashme