Infeksionet në rritje kanë zbehur shpresat e qeverisë për të rihapur ekonominë në fillim të Pranverës

Gjermania ka zgjatur bllokimin e saj për tre javë, duke vendosur një ndalim pothuajse të plotë gjatë festës së Pashkëve mes frikës së një vale të tretë të infeksioneve të koronavirusit.

Pas bisedimeve me udhëheqësit rajonalë, kancelarja Angela Merkel tha se masat aktuale do të qëndrojnë deri në 18 Prill. Kufizimet do të jenë edhe më të ashpra nga 1-5 Prill, kur shumica e dyqaneve do të mbyllen dhe tubimet do të jenë të kufizuara.

Merkel u shpreh se Gjermania ishte tani në një situatë shumë serioze. Infeksionet e koronavirusit janë rritur në të gjithë Evropën javët e fundit ndërsa vendet përpiqen të vaksinojnë popullatat e tyre pavarësisht vonesave. Shkalla e infeksionit është rritur mbi 100 për 100,000 banorë në Gjermani. 7,485 infeksione janë raportuar në 24 orët e fundit, si dhe 250 vdekje.

Në Poloninë fqinje, norma e infektimit është tre herë më e lartë. Spitalet franceze kanë pranuar 471 pacientë të tjerë në kujdes intensiv brenda 24 orësh, dhe 15,792 raste të tjera janë raportuar. Polakët tani nuk mund të hyjnë në Gjermani nëse nuk janë testuar negativisht për Covid-19 brenda 48 orëve të fundit. Mijëra polakë udhëtojnë çdo ditë në Gjermani për punë.

Polonia është një nga vendet më të goditura të BE në valën aktuale të tretë të koronavirusit. Zyrtarët shëndetësorë thonë se varianti shumë ngjitës britanik përbën 80% të rasteve të reja.

Ndërkohë, Hungaria është bërë vendi i parë i BE që miraton përdorimin e vaksinës së koronavirusit CanSino Biologics të Kinës dhe CoviShield, versioni indian i vaksinës AstraZeneca.

Shtetet e BE lejohen të bëjnë marrëveshje të ndara me prodhuesit e vaksinave të cilët nuk kanë nënshkruar marrëveshje me BE. Hungaria tashmë po përdor vaksinën kineze Sinopharm dhe vaksinën ruse Sputnik. Rregullatori i BE, Agjencia Evropiane e Barnave, ka miratuar deri më tani vaksinat e Pfizer-BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

Klan News